Reforma në drejtësi në ngërç

0
2953

Situata e acaruar politike dhe klima e thellë mosbesuese mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri kanë vënë në pikëpyetje procesin e zbatimit të Vettingut, si instrumenti kyç i reformës në drejtësi.

Albanisches Parlament in Tirana (DW/A. Muka)

Rreth dy vite më parë kur u lançua zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë procesi i reformës në drejtësi në panelet dhe tryezat e diskutimit me kastat e juristëve, konsitucionalistëve, magjistratëve të drejtësisë, ekspertëve vendas dhe të huaj ishte i dukshëm distancimi i deputetëve të opozitës.

Ngërçi i reformës

Për cilindo nga projektligjet e paketës kushtetuese që ishte në diskutim, mendimet dhe sugjerimet e saj artikuloheshin vetëm në media apo në aktivitete që organizoheshin nga opozita. Muaj më pas edhe deputetët e koalicionit të djathtë opozitar u bënë pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës, duke ardhur tek korriku i vitit 2016, kur të dyja krahët e politikës, të 140 deputetët në sallë ngritën kartonat pro ndryshimeve kushtetuese që hapnin rrugën për reformën në drejtësi.

Vera kaloi, po kështu dhe vjeshta e dimri dhe tashmë jemi në rrethanat kur kjo reformë është në ngërç. Ajo duket më shumë se kurrë e molepsur dhe me pjesë të agjendës politike. Prej datës 18 shkurt opozita ka nisur një protestë të pandalur përpara selisë së Kryeministrisë, ku kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Prej këtij momenti opozita ka deklaruar se nuk do të shkojë në Kuvend deri në plotësimin e kushteve të saj. Ndërkohë edhe afatet për ngritjen e komisioneve të Vetting-ut janë në limit dhe mbi të gjitha për to duhen vota dhe nga mazhoranca dhe opozita. Nëse nuk ngrihen këto komisione që do të bëjnë verifikimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve atëherë gjithçka e ndërtuar deri më tani shkon dëm.

Për opozitën primare janë zgjedhjet e lira të organizuara nga një qeveri me besim tek publiku, sipas saj, qeveri teknike, kurse për mazhorancën Vetting-u është jetik për reformën në drejtësi dhe reformat e tjera të nisura. Në datën 6 mars Kuvendi (në një sallë ku mungonte opozita) mori një vendim të sforcuar duke kërkuar nga Avokati i Popullit që për 7 ditë të tjera të bënte një rishqyrtim të të gjitha kandidaturave që janë paraqitur për komisionet e Vetting-ut. Por askush nuk e di se çfarë do bëhet me ngritjen e komisioneve kur të mbarojë dhe ky afat dhe salla e Kuvendit të jetë sërish e zbrazuar në pjesën ku ulet opozita.

Edi Rama Albanien spricht im Parlament in Tirana (picture-alliance/AP Photo/H.Pustina)

Konfuzion në ushtrimin e kompetencave kushtetuese

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë, Arben Çejku, mendon se vendimi i parlamentit, për të shtyrë edhe me 7 ditë procesin e ngritjes së komisioneve të Vetting-ut i ka brenda dy arsyet edhe mungesën e opozitës edhe arsyetimin “administrativ”, për rikthim të vlerësimit te Avokati i Popullit. Veç kësaj, kemi edhe një konfuzion të ushtrimit apo mosushtrimit të kompetencave kushtetuese, thotë Çejku për Deutsche Welle-n. “Në kushtet kur presidenti nuk e vë dot në lëvizje procesin për shkak të pozicionit të ri, në të cilin e ka vënë paketa e re e reformës në drejtësi dhe kur Avokati i Popullit ushtron kompetenca përtej mandatit të tij kushtetues, ngërçi që vjen për shkak të luftës politike, bëhet edhe më bllokues për procesin. Vonesa në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit duket si një dinakëri e mirëllogaritur nga ata që duan ngecjen e procesit. Parlamenti është në kushtet që duhet të shikojë mundësisë e amendimit të një pjese të ligjit për ta bërë atë të zbatueshëm në kushtet që janë krijuar”.

Kurse pedagogu i fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Sokol Hazizaj, vlerëson se përpjekja e sforcuar e Kuvendit të Shqipërisë për të rishqyrtuar kandidaturat nga Avokati i Popullit është jo kushtetuese sa dhe vetë procesi i pengimit të gjithë dispozitave të aneksit të Kushtetutës. “Mungesa e njërës anë të politikës është themeli i mosshterimit të Nenit C të aneksit të Kushtetutës, që do të thotë se konsesusi politik për ndryshimet e saj sot ka rënë. Artifica e sajuar është shfaqja më e rëndomtë e një gjesti që tregon se ky vend ka politikë por vetëm ligje nuk ka”. Në intervistë me Deutsche Welle-n Sokol Hazizaj shton se rikualifikimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve, ose Vetting-u duhet pare si proces, ku herët ose vonë do të ndodhë në kuptimin material.

Berlin, Bundestag Lulzim Basha (DW/Auron Dodi)

“Ne vështrimin procedural do marrë kohën e vet për shkak të mungesës së qasjeve politike, por e sigurtë është që fakti kushtetues do të ezaurohet. Mendoj se qasjet e momentit janë të vështira për të qenë të afruara, për aq sa Vetting-u shihet si demarkacion politik dhe jo sidomosdoshmëri apo detyrim ndaj qytetarit, ndaj dhe procesi do të vijojë me pengesa në pafundësi”.

Rikthimi tek konsensusi ndihmë për reformat e nisura

Arben Çejku kujton se reforma në drejtësi u miratua me konsensus gjithëpartiak dhe si e tillë duhet të zbatohet deri në fund. Kjo reformë nuk duhet konceptuar si monopol i njërës apo tjetrës pale, thekson ai për Deutsche Welle-n. “Përpjekjet për t’i veshur kostumin e ngushtë partiak janë të gabuara dhe e denigrojnë thelbin e kësaj reforme kaq të domosdoshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Tërheqja e litarit të kësaj reforme mes dy çadrave, asaj të opozitës në njërën anë dhe asaj të mazhorancës në anën tjetër, rrezikon këputjen dhe do të jetë e vështirë në kushtet e zhvillimeve të ardhshme politike rikthimi në sofrën e konsensusit dhe vullnetit të mirë për zbatimin e kësaj reforme jetike për vendin”, thotë ai.

Sokol Hazizaj (DW/A.Muka)Eksperti Sokol Hazizaj

Ndaj për Drejtorin e Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë, Arben Çejku rikthimi tek fryma konsensuale do të ishte ndihmë jo vetëm për reformat e nisura, por dhe një lehtësim edhe për partitë politike që presin të nisin betejën elektorale.

Si hapi i pare, sipas tij, do të ishte instalizimi i një tryeze dialogu mes mazhorancës dhe opozitës. “Palët, pavarësisht kontestimeve që kanë, nuk mund të injorojnë rolin e njëra-tjetrës. Unë mendoj se kjo tryezë duhet iniciuar nga mazhoranca dhe opozita duhet t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të diskutuar hapur dhe për të gjetur zgjidhje për një sërë çështjesh që po kthehen në element krize të rrezikshme për vendin.” Palët duhet të ulen pa i vënë kushte njëra-tjetrës që në fillim, mendon Çejku.

Jemi në situatë të jashtëzakonshme kushtetuese

Ndërkohë pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë, Sokol Hazizaj konstaton se Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka në përmbajtjen e saj të ndryshuar vetëm Vetting-un, por dhe krijimin e institucioneve të reja dhe ushtrimin e detyrimeve të tjera nga organet kushtetuese, për të cilat, ai vlerëson se nuk vihet re ndonjë lëvizje. “Ne sot ndodhemi jo vetëm përpara mosbesimit politik, por thënë hapur gjendemi përpara krizës kushtetuese, pra situata është më e rëndë. Sot ne ndodhemi pse jo në situatë të jashtëzakonshme kushtetuese, të cilën vetë politika po e inspiron.