[slideshow_deploy id=’371′]

Me datë 9 korrik 2015, në Hotel “Tirana” u zhvillua Konferenca shkencore “Ekonomia Sociale e Tregut dhe transformimi ekonomik – receta e suksesit në Republikën Federale të Gjermanisë”. Konferenca u organizua nga ACGG me mbështetjen e Fondacionit “Konrad Adenauer”.

Konferenca i zhvilloi punimet me të ftuar special, z. Andreas Lämmel, deputet në Bundestag dhe Kryetar I Fraksionit CDU/CSU për Ekonominë dhe Energjinë. Zoti Lämmel  shoqërohej nga Dr. Thomas Schrapel, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer” për Shqipërinë. Zoti Lämmel ishte pjesë e delegacionit të Kancelares Merkel, e cila vizitoi Shqipërinë më 8 korrik 2015.

Pjesëmarrës në Konferencë ishin ish-ministra, deputetë, profesorë, ekspertë të fushës së ekonomisë, studentë, përfaqësues të medias etj.

Në fjalën e tij kryesore, zoti Lämmel u ndal gjerësisht në shtjellimin e konceptit të Ekonomisë Sociale të Tregut dhe përvojën gjermane, sidomos pas ribashkimit të dy Gjermanive. Më tej ai u foli për sfidat me të cilat ndeshet ekonomia gjermane dhe raportet e saj me botën. Njëkohësisht ai shtjelloi edhe problematikat që lidhen me Qeverisjen e Mirë dhe zhvillimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë. Koncepti i lirisë ekonomike, sipërmarrjes dhe drejtësisë së garantuar zunë një vend me rëndësi në kumtesën e zotit Lämmel. Po ashtu, në vijim ai u ndal në disa element të krizës financiare të Greqisë dhe qasjen gjermane ndaj saj.

Në përgjigje të interesimit të madh të pjesëmarrësve, zoti Lämmel iu përgjigj edhe një seri pyetjesh, që lidheshin me tematikën e kësaj Konference, por edhe me mesazhet që përcolli zonja Merkel gjatë vizitës së saj në Shqipëri si dhe për perspektivën e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve tona.