Me ftesën dhe me mbështetjen e Fondacionit “Konrad Adenauer”, z. Arben Çejku, në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv, nga data 14 – 20 Dhjetor 2014, së bashku me disa nga Kordinatorët Kombëtar të PD-së, zhvilloi një vizitë zyrtare në Berlin, ku pati takime shumë të rëndësishme në selinë e Fondacionit “Konrad Adenauer”, në selinë e CDU-së, në Bundestag si dhe në Institutin e Shkencës dhe Politikës etj.

Së bashku me politikanët e rinj të PD-së, z. Çejku pati mundësi të prezantojë programin dhe vizionin e ACGG-së në selinë qëndrore të Fondacionit “Konrad Adenauer”, me të cilin ACGG është partner. Në KAS delegacioni u takua me Dr. Viola Neu, Drejtuese e Departamentit të Kërkimeve Emipirike-Sociale, me z. Henri Bohnet, me z. Rolf Halfmann, jurist i KAS, Dr. Karsten Grabow, Koordinator për analizat politike dhe kërkimet partiake, me Dr. Barbara Lippert, Drejtore e Institutit të Shkencës dhe Politikës, me ekspertë të CDU-së etj.

Delegacioni vizitoi edhe selinë e Bundestagut, ku u prit dhe bashkëbisedoi me deputetë dhe këshilltarë të lartë politik, siç ishte z. Hans-Joachim Falenski, Këshilltari për Politikën e Jashtme në Bundestag i Fraksionit CDU/CSU dhe Dr. Guido Heinen, Drejtor për Shërbimet Shkencore në Bundestag etj.

Delegacioni zhvilloi një drekë pune me deputetin Thorsten Frei, me të cilin u shkëmbyen informacione dhe mendime mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri si dhe perspektivën e integrimit tonë në BE. Z. Frei, duke qenë njëkohësisht edhe përgjegjës për Shqipërinë në grupin parlamentar të CDU-së, shprehu interesimin e tij për të vizituar Tiranën në një të ardhme të afërt.  Një bashkëbisedim shumë miqësor u zhvillua edhe me deputetin Klaus Brahming, i cili është zgjedhur për herë të shtatë më vota të drejtpërdrejta nga qytetarët. Biseda e tij u ndal kryesisht në raportet që duhet të kenë politikanët me qytetarët dhe sidomos me zgjedhësit e tyre.

Gjatë kësaj vizite në Berlin, ACGG pati një mundësi më shumë për vendosjen e kontakteve të nevojshme për zgjerimin e bashkëpunimit të saj me Fondacionin “Konrad Adenauer” dhe institucione të tjera politik-bërëse të Gjermanisë, në dobi të promovimit të koncepteve të Qeverisjes së Mirë dhe zhvillimit të demokracisë.