[slideshow_deploy id=’275′]

Një grup anëtarësh të ACGG (Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë), zhvilluan në Cadenabbia, Itali, një seminar 3-ditor (24 – 27 Tetor 2014) me temë “Qeverisja e mirë dhe shoqëria civile – koncepte të reja për politikën në Shqipëri”. Aktiviteti u zhvillua me mbështetjen e Fondacionit “Konrad Adenauer”.

Drejtori i KAS për Shqipërinë, Dr. Thomas Schrapel, në nisje të këtij seminari vuri theksin në rëndësinë që ka sot prezantimi i koncepteve bashkëkohore mbi Qeverisjen e Mirë dhe mbështetja që KAS u jep këtyre koncepteve në partneritet me ACGG dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë shqiptare.

Drejtori Ekzekutiv i ACGG-së, z. Arben Çejku shtjelloi në mënyrë të veçantë qasjen e re që ky think tank ka për Qeverisjen e Mirë dhe promovimin e vlerave të demokracisë në Shqipëri. Ai tha se në të ardhmen, ACGG dhe partnerët e saj do të zhvillojnë veprimtari konkrete për të shtjelluar çështje që lidhen me qeverisjen në çdo nivel.

Në këtë seminar u mbajtën referate mbi tema aktuale nga ekspertë të fushave të ndryshme. Prof. Dr. Kristaq Kume, Zv/Rektor i Universitetit “Aleksander Moisiu”, diskutoi mbi problemet zgjedhore në Shqipëri, praktikat menaxhuese të votimeve dhe qasja demokratike ndaj votës së lire, si princip bazë për nisjen e një qeverisjeje të mirë. Dr. Afrim Krasniqi, politolog dhe pedagog universitar, referoi për ndikimin që ka në qeverisje sjellja e partive politike në 20 vitet e fundit. Znj. Belina Budini, pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, shtjelloi sfidën që kanë marrëdhëniet me publikun në krijimin e opinionit publik. Znj. Dorina Bërdufi, pedagoge në UAM, vuri theksin në nevojën që ka matja e saktë e opinionit publik dhe ndjesisë që ai ka mbi qeverisjen dhe sjelljen e institucioneve të ndryshme. Z. Alfred Lela, analist dhe pedagog, u ndal kryesisht në rëndësinë që ka kultura politike për partitë politike dhe rolin që ka media në përgjithësi në promovimin e koncepteve të reja politike. Znj.Laura Vorpsi, praktikante në Bundestag, foli mbi modelet e reja të marrëdhënies së forcave politike me grupin e deputetëve dhe parlamentarizmin në tërësi. Znj. Irena Shabani, gazetare, debatoi mbi nevojen e një zëri më përfaqësues të shoqërisë civile, kur është fjala për qeverisjen dhe shërbimet e shtetit ndaj qytetarit. Z. Mentor Beqa, në emër të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, vuri theksin në rëndësinë që ka dekomunistizimi dhe lustracioni nga e kaluara diktatoriale për institucionet dhe administratën në Shqipëri.Z. Ilir Kalemaj, pedagog universitar, referoi mbi nevojën e një reforme serioze në arsimin e lartë dhe pasojat që ajo ka në qeverisjen e nesërme. Znj. Jonida Drogu, pedagoge e shkencave politike, vuri theksin tek sfidat që sjellin me vete reformat e kërkuara në përmbushje të procesit integrues të vendit në BE.
Në përfundim të punimeve të saj, seminari vuri theksin në rëndësinë e promovimit të mëtejshëm të teorive dhe praktikave më të mira mbi Qeverisjen e Mirë, si koncpet dhe praktikë demokratike.