Porosia e Këshilltarit të grupimit politik CDU/CSU, Hans Joachim Falenski në Tiranë: “Cilësia e zgjedhjeve, kriter vlerësimi për hapjen e negociatave”

0
1356

19055856_1917556618485475_1201921923082323419_o

Këshilltari për politikë të jashtme i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, z. Hans J. Falenski, mori pjesë sot në Seminarin “Zgjedhjet dhe pritshmëritë e Shqipërisë për integrim në BE”, organizuar nga Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë – ACGG.
Në prani të Drejtorit të Fondacionit Konrad Adenauer, z. Walter Glos, miku gjerman u bëri një panoramë të gjerë angazhimeve të tij dhe të fraksionit të djathtë të parlamentit gjerman, në mbështetje të aspiratës së Shqipërisë për integrim në BE. Ai tha se, edhe kur ne kemi qenë kritik në vlerësimet tona, këtë e kemi bërë për të inspiruar akoma më shumë lidershipet politike në Shqipëri për të ecur përpara në implementimin e kushteve që kërkohen. Ai tha se, standartet e integrimit nuk janë as të majta dhe as të djathta, por ato janë kritere që duhen plotësuar, pikë së pari për vetë interesin e Shqipërisë.
Mes tjerash, zoti Falenski nënvizoi se një nga vlerësimet që do të bëjë Brukseli për hapjen e negociatave do të jetë edhe cilësia e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, të cilat erdhën pas një ngërçi politik dhe marrëveshjes së arritur mes dy partive më të mëdha, PS e PD. Ne do t’i vlerësojmë këto zgjedhje duke u bazuar në raportin e OSBE/ODIHR dhe të vëzhguesve të tjerë dhe, nga cilësia e këtyre zgjedhjeve do të varet rekomandimi që do t’i jepet Fraksionit CDU/CSU, në prag të hartimit të raportit të progresit për Shqipërinë. Përveç zgjedhjeve, ne po monitorojmë edhe zbatimin e shtatë kritereve që janë vendosur, duke përfshirë këtu në mënyrë të veçantë zbatimin e Vetingut dhe reformën e drejtësisë. Pavarësisht se është humbur shumë kohë që nga vjeshta e vitit të kaluar, ne besojmë se pas shtatorit duhet të ketë një angazhim më serioz për të bërë hapa konkret përpara. Në këtë drejtim, ne presim me padurim fillimin e menjëhershëm të punës nga parlamenti i ri për reformën zgjedhore, për ligjin e ri zgjedhor, të cilin e kosniderojmë shumë të rëndësishëm dhe, natyrisht ai është edhe një nga kërkesat e marrëveshjes së 18 Majit mes z. Rama dhe z. Basha.
Në këtë seminar, që u shoqërua me shumë diskutime, pyetje dhe përgjigje nga të pranishmit, zoti Falenski, në cilësinë e këshilltarit për politikë të jashtme të grupimit CDU/CSU, u ndal edhe në rrezikun që mbart për stabilitetin e rajonit rikthimi i retorikës për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”. Ai porositi që fokus i çdo politikani shqiptar në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni duhet të jetë përmbushja e kritereve të anëtarësimit në BE për secilin vend, sepse kriteret që kërkohen nuk janë as për BE-në as për Gjermaninë, por për vendet që aspirojnë të jenë pjesë e familjes europiane. Gjermania, tha z. Falenski edhe më tej do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perendimor në aspiratën e tyre për integrim në Bashkimin Europian.