Zhvillohet Seminari për sfidat e drejtësisë pas përmbylljes së Vetingut

0
1

Me pyetjen se, si do të sigurohet integriteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve në të ardhmen, pas
shuarjes së organeve të Vetingut, Qendra ACGG dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”,
organizuan një seminar analitik për periudhën post-veting, me pjesmarrjen e disa ekspertëve të
njohur të fushës së jurisprudencës dhe përfaqësues të medias e shoqërisë civile. Drejtori
Ekzekutiv i ACGG-së, z. Arben Çejku dhe përfaqësuesja e KAS, znj. Zheni Korçari, theksuan
rëndësinë që pati reforma në drejtësi dhe posaçërisht procesi i rivlerësimit, i njohur si “vetingu”.
Qeveria gjermane dhe fondacioni KAS kanë mbështetur drejtësinë e re shqiptare, me qëllim që
ajo të jetë e pavarur, profesionale, me integritet dhe në shërbim të qytetarëve.
Në këtë tryezë, u ofrua një analizë empirike mbi disa nga arritjet kryesore të vetingut si dhe u
diskutuan disa nga problematikat që e shoqëruan atë. Në diskutimet e tyre, ekspertët vunë në
dukje se, përmbyllja e fazës së rivlerësimit tani në qershor me pushimin së funksionuari të KPA-
së, hap një kapitull thuajse të panjohur për ecurinë e monitorimit dhe vlerësimit të kritereve
profesionale, etike dhe financiare të prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe nuk dihet si do të sigurohet
një imunizim afatgjatë i sistemit nga infektimi i tij prej fenomeneve të ndryshme negative.
Konstitucionalistja e njohur, Prof. Dr. Aurela Anastasi, duke përshëndetur rëndësinë e orgnizimit
të një tryeze të tillë, u ndal kryesisht në hapat e nevojshëm ligjorë që duhet të ndërmarrë Kuvendi
për të sistemuar në kushtetutë periudhën e post-vetingut, që mund të përfshijë edhe nevojën për
amendime kushtetuese. Ajo theksoi se, sistemi kushtetues i gjithë procesit të Vetingut, si gjatë
dhe pas mbarimit të tij, duhet të adresohet në mënyrë korrekte nga këndvështrimi kushtetues dhe
nuk duhen lënë hapsira për keqinterpretim. Po ashtu, duhet parë rregullimi i rasteve që lidhen me
përgjigjet e Gjykatës së Strasburgut, të cilat kanë adresë Gjykatën tonë Kushtetuese. Ajo ngriti si
shqetësim faktin që, gjatë periudhës së zbatimit të Vetingut, nuk u konsiderua si mekanizëm
Komentari i Kushtetutës, i cili do ta bënte më të lehtë dhe më të drejtë dhënien e disa vendimeve.
Prof. Dr. Altin Shegani, pedagog në fakultetin juridik, ndau me audiencën disa nga modelet më
të mira të kontrollit disiplinor në sistemin e drejtësisë. Ai u ndal rast pas rasti, duke vënë theksin
tek nevoja e mekanizmave juridik që sigurojnë llogaridhënien dhe ruajnë balancën mes
institucioneve ligjzbatuese. Mes tjerash, ai tha se duhen vlerësuar cilat janë modelet më të
përshtatshme për Shqipërinë dhe të ketë një garanci, që llogaridhënia dhe integriteti i gjykatësve
dhe prokurorëve të mos përfundojë me përfundimin e afatit ligjor të vetingut.
Dr. Ylli Pjetërnikaj, pedagog në Shkollën e Magjistraturës, duke vlerësuar rëndësinë e vetingut si
një mekanizëm emergjent, tha se tani gjithë sistemi i monitorimit dhe vlerësimit të integritetit të
prokurorëve dhe gjyqtarëve duhet të hyjë në një fazë normaliteti. Ai tha se vetingu në përgjithësi
ishte një proces përjashtues, ndërkohë që tani duhet të vëmë theksin tek parandalimi. Ka ende
shumë pikpyetje dhe hapsirë për të diskutuar se si do të kalohet në një procedurë të normalitetit,
ndërkohë që kanë filluar të shfaqen dilema juridiko – institucionale, se si do të mbijetojë
integriteti i sistemit të drejtësisë, në mungesë të organeve të vetingut dhe të një mekanizmi të
ngjashëm kontrollues. Bazuar në modelin e punës dhe në arritjet e KPA, ai propozi që të ngrihet
një mekanizëm konkret, siç mund të ishte Këshilli Kombëtar i Integritetit, i cili të përfshinte
brenda funksionit të tij punën që bën ILDKPI, duke u bazuar në modelin funksional të KPA-së
dhe një aktivizim të hetimit përtej masës disiplinore për prokurorët, gjyqtarët dhe gjithë
funksionarët e tjerë shtetëror. Nëpërmjet këtij mekanizmi do të vijohej procedura kolegjiale e
vetingut në shqyrtim dhe marrje vendimi, do të ruheshin standartet e arritura deri më tani dhe do
të sigurohej një pavarësi funksionale e vetë këtij institucioni.
Pedagogu i së drejtës në CIT dhe ish-shef kabineti në SPAK, zoti Fabian Zhilla, përveç tjerash u
ndal në segmentin e punës së SPAK, si vijuese e shqyrtimit të rasteve në KPA dhe se si do të
vijohet më tutje. Ai theksoi rëndësinë e një analize serioze nga të gjitha institucionet, me qëllim
që hapat e mëtejshëm në funksionimin e drejtësisë së re, të marrin në kosnideratë arritjet,
problemet dhe idetë për të ardhmen, siç ishte propozimi i zotit Pjetërnikaj për një Komision
Kombëtar të Integritetit. Për zotin Zhilla, e rëndësishme është ruajtja e arritjeve të deritanishme
dhe vijimi i punës për një drejtësi në shërbim të qytetarëve, të cilët, përveç statistikave, kanë
nevojë për një drejtësi të pavarur dhe të shpejtë, pa humbur kohë në pritje të një vendimi.
Zoti Edmond Hoxhaj, gazetar i BIRN, i cili ka ndjekur në vijimësi procesin e vetingut, solli një
pasqyrë shumë interesante të të gjithë procesit, duke vënë në dukje disa nga mangësitë dhe
arritjet. Edhe ai u pajtua me nevojën e një analize më të gjerë dhe profesionale të këtij procesi,
duke kërkuar edhe mendimet dhe vlerësimet e ONM-së, e cila ka dhënë një kontribut të madh në
gjithë këtë fazë dhe një botim i qëndrimeve të tyre do të sillte më shumë dritë në atë që ka
ndodhur. Ai tha, se media dhe orgnizatat e shoqërisë civile kanë dhënë kontribut për një
pasqyrim sa më të paanshëm të procesit. Duke vlerësuar idenë e përfshirjes së të gjithë zyrtarëve
dhe politikanëve në një procedurë vetingu në të ardhmen, ai shprehu rezerva për mundësinë e
ruajtjes së integritetit të institucioneve të drejtësisë, pa një mekanizëm si Vetingu.
Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj. Erinda Skendaj, u ndal në punën që ka bërë ky
Komitet, në hartimin e raporteve monitoruese gjatë gjithë procesit të vetingut, duke thekuar
rëndësinë e kritikës së dobishme, e cila shpesh herë është keqkuptuar. Me këtë rast, ajo kujtoi se
ka ndodhur një fenomen i zbatimit të ashpër të vetingut, por nuk ka patur një hetim të mëtejshëm
nga SPAK për rastet kur personat janë hequr nga sistemi për shkak të pasurive të
pajustifikueshme. Në tërësi vetingu dha shembullin se nuk jemi më në fazën e
pandëshkueshmërisë, por në të ardhmen duhen mekanizma garantues që sistemi nuk do të
infektohet përsëri.
Drejtori i ISP-së, politologu Dr. Afrim Krasniqi, duke vlerësuar disa nga arritjet kryesore të
vetingut, tha se tani që jemi në fazën e një analize gjakftohtë, vëmë re se, Shqipëria ndoshta nuk
kishte kapacitete të mjaftueshme për të bërë një reformë kaq të madhe, emergjente dhe sfiduese.
Ai ftoi të pranishmit dhe opinionin publik për të lexuar rezultatet e reformës përtej shifrave, duke
kërkuar përgjigje tek funksionimi real dhe në dobi të qytetarëve të organeve të reja të drejtësisë.
Në këndvështrimin e tij, drejtësia e re ende nuk është efektive dhe për fat të keq larg pritshmërive
të qytetarëve. Për më tepër, ai shprehu habi se, si organet e vetingut, përveç se po mbyllin dyert,
po mbyllin edhe arkivat e tyre në internet, të cilat nuk do të jenë të aksesueshme për analiza dhe
për kujtesë historike. Gjithashtu, zoti Krasniqi, tha se vihet re mungesa e një analize serioze mbi
atë që është arritur dhe për perspektivën e një vetingu pa mekanizma kontrolli në të ardhmen.
Në këtë tryezë, pati ndërhyrje edhe nga ekspertë dhe të pranishëm të tjerë, të cilët konverguan në
nevojën e sigurimit të një procesi monitorimi për integritetin e prokurorëve, gjyqtarëve, por edhe
të politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë dhe se, e gjithë kjo që është arritur deri më tani, të mos
mbetet si ngjarje e sforcuar e së kaluarës, por një model funksional dhe garanci për të ardhmen e
një drejtësie europiane.

Comments are closed.